Zhvillimi i teknologjisë informative në Kosovë nga ky vit do të
ndihmohet edhe nga mbajtja e një konference vjetore mbi Softuerin e
Lirë dhe të Hapur. Asociacioni Kosovar për Softuer të Lirë dhe të Hapur
(FLOSSK) dhe Universiteti i Prishtinës kanë marrë përsipër iniciativën
për organizimin e kësaj konference e cila ka për qëllim promovimin e
Softuerit të Lirë dhe të Hapur si dhe shkëmbimin e përvojave ndërmjet
përdoruesve vendorë dhe ndërkombëtarë të këtij softueri.
Software
Freedom Conference 2009 (SFK ’09) do të organizohet këtë vit duke
filluar nga ora 8 e 30 me 29 dhe 30 gusht në mjediset e Fakultetit te
Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, në kuadër të Universitetit të
Prishtinës. Gjatë këtyre dy ditëve do të prezantohen autorë dhe
ekspertë të ndryshëm, vendor dhe ndërkombëtarë, nga fusha e Softuerit
të Lirë dhe të Hapur nga të cilët vlen të përmenden: Giussepe Maxia nga
Sun Microsystems i cili njëherësh është edhe menaxher i komunitetit të
MySQL; Dan Charchidi nga Massachusetts Institute of Technology (MIT) i
cili do të flasë për Open CourseWare (OCW); Flavia Marzano,
përfaqësuese e Italisë në Komisionin Evropian për çështjet e Softuerit
të Lirë dhe të Hapur si dhe Brian King nga Mozilla që do të flasë për
shfletuesin Firefox dhe shtojcat (add-ons) e tij.
Gjithsejtë, do të ligjërohet për mbi 40 tema të ndryshme duke filluar
nga çështjet e lidhura me Enciklopedinë e Lirë Wikipedia, GNU/Linux,
licencat e pronësisë intelektuale, ndërtimin e komuniteteve, si dhe
programimin në gjuhët PHP dhe Python. Të gjitha këto veçori e bëjnë
këtë konferencë ndër më të mëdhatë në Evropën Juglindore.
Konferenca mbahet nën patronatin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës
dhe është përkrahur nga një numër i madh donatorësh, si: IPKO,
Fondacioni Kosovar për Shoqëri të Hapur (KFOS), USAID nëpërmjet
programit KPEP, Ministria e Energjisë dhe Minierave, Mozilla, Rrota,
Sun Microsystems, Crimson Capital, Telegrafi.com, PCWorld Albanian,
Kosovapress, si dhe Koha Ditore dhe KohaVision (KTV).
Konferenca është e hapur për pjesëmarrësit gjatë dy ditëve të mbajtjes,
organizatorët rekomandojnë që të bëhet regjistrimi online ne http://sfk09.evenbrite.com.
Orari i detajuar i prezantimeve si dhe informata me te hollësishme për
konferencën mund të gjenden në faqen zyrtare të organizatës FLOSSK www.kosovasoftwarefreedom.org


